Një valë e re e të nxehtit ekstrem ka përfshirë Italinë dhe një pjesë të madhe të Evropës, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C në disa zona gjatë ditëve në vijim.
Për të tretën herë brenda pak javësh, autoritetet italiane kanë shpallur alarm të kuq për disa qytete. Aktualisht, niveli më i lartë i rrezikut është në fuqi në Firence, Peruxhia, Breshia dhe Torino, ndërsa të mërkurën listës do t’i shtohen edhe Bolonja, Frosinone dhe Roma.
Sipas meteorologëve, temperaturat do të luhaten nga 39°C deri në 41°C në pjesën më të madhe të Italisë qendrore dhe jugore, si edhe në Sardenjë. Në zonat e brendshme, termometri mund të shënojë deri në 45°C deri në fund të javës.
Përveç vapës përvëluese, Italia po përballet edhe me një thatësirë të theksuar dhe mungesë të burimeve ujore. Situata paraqitet veçanërisht kritike në rajonin e Piemontes, ku autoritetet kanë ngritur alarmin për krizën e ujit.
