Zvicra po përballet me një vendim të rëndësishëm përmes një referendumi që po zhvillohet të dielën, ku qytetarët po votojnë mbi një propozim për të kufizuar popullsinë e vendit në 10 milionë banorë.
Propozimi është paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë, e cila e quan këtë iniciativë “nismë qëndrueshmërie”. Sipas saj, masa synon të lehtësojë presionin mbi strehimin, shërbimet publike dhe mjedisin në vend.
Megjithatë, nisma ka hasur në kundërshtime të forta nga qeveria, parti të tjera politike, përfaqësues të biznesit dhe sindikata, të cilët e cilësojnë atë si një “iniciativë kaosi”. Sipas tyre, kufizimi i popullsisë mund të sjellë mungesë të fuqisë punëtore në sektorë kyç si shëndetësia dhe turizmi, si dhe të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
