Shikues i ndeshjes Kosovë-Izrael në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte edhe Gëzim Berisha, ish-drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.
Ndaj Berishës, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 nëntor caktoi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, pasi i njëjti dyshohet se kreu veprën penale “Dhunë në familje” ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Sot Berisha publikoi fotografi në rrjete sociale ku dëshmoi praninë e tij në stadium.
Pas kësaj, KosovaPress i dërgoi pyetje gjykatës përkatëse, e cila përmes një përgjigje me shkrim njoftoi se të pandehurit i është ndërruar masa.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi tha se masa e arrestit shtëpiak iu ka zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar viktimës.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, me numër PN.1DP.nr.1443/26, është aprovuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit G.B. dhe është ndryshuar Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale me numër PPR.nr.895/26, në atë mënyrë që masa e arrestit shtëpiak, e caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për periudhën nga data 30.10.2026 deri më 29.11.2026, është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar personit të caktuar”, tha Gashi.
Kujtojmë se Berisha aktualisht është pezulluar nga posti që mbante.