Në këto ditë vape, mjekët u sugjerojnë qytetarëve kujdes të shtuar, sidomos në pikun e ditës.
Specialisti në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Rushit Ismajli, në intervistë për eo, vuri në dukje se pas një maji të ftohtë, ngritja e menjëhershme e temperaturave në qershor ka shkaktuar vështirësi në përshtatjen e qytetarëve.
“Kaluam prej një periudhe që e kishim me temperatura shumë të ulëta. Maji ka qenë me temperatura të ulëta, pastaj në qershor përnjëherë temperaturat u ngritën. Ka pasur vështirësi në përshtatjen e njerëzve me këto temperatura dhe menjëherë shohim se disa persona vetëm se janë djegur. Ajo çka duhet të bëjnë kujdes është që në radhë të parë të shmangin pikun e ditës nga ora 10:00 deri 17:00, sepse në këtë kohë temperaturat janë të larta,. Mund të shkaktohet dehidrim, djegie e lëkurës, që është rrezik për kancerin e lëkurës”, tha Ismajli.
Ismajli rekomandoi konsumimin e të së paku dy litrave ujë në ditë dhe një dietë të shëndetshme me pemë dhe perime të freskëta.
