Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka vazhduar ekzekutimin e pagesave direkte për fermerët përfitues në kuadër të programit të subvencionimit.
Sipas njoftimit të ministrisë, deri më tani janë ekzekutuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej mbi 10.2 milionë eurosh, të ndara në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
Në sektorin e blegtorisë kanë përfituar 1 mijë e 149 fermerë, me një shumë të përgjithshme prej 1 milion e 454 mijë e 290 eurosh.
Ndërkaq, për sipërfaqet bujqësore janë realizuar pagesa për 4 mijë e 475 fermerë, në vlerë prej 7 milionë e 716 mijë e 860 eurosh e 54 centësh.


