Në një ceremoni solemne të mbajtur të premten në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, kanë diplomuar 397 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, të cilët tashmë i bashkohen radhëve të këtij institucioni.
Në ceremoninë ku morën pjesë krerë institucionalë, drejtues të institucioneve të sigurisë, përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë dhe familjarë të kadetëve, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, tha se diplomimi shënon jo vetëm përfundimin e një etape të përgatitjes profesionale, por edhe fillimin e një përgjegjësie të madhe në shërbim të qytetarëve.
Hoti vlerësoi përkushtimin, sakrificën dhe disiplinën e kadetëve gjatë procesit gjashtëmujor të përgatitjes, duke theksuar se diploma që kanë marrë është dëshmi e zotimit që kanë marrë përsipër.
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim. Jemi mbledhur për të nderuar përkushtimin, sakrificën, disiplinën dhe vullnetin e një gjenerate që ka zgjedhur rrugë me përgjegjësi të madhe – rrugën e shërbimit ndaj qytetarit dhe vendit”, tha Hoti.
Ai u bëri thirrje kadetëve që uniformën e Policisë ta bartin gjithmonë me dinjitet, nder dhe krenari, duke ua kujtuar se ajo përfaqëson besimin e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit.
“Uniforma që do të bartni nuk është thjesht një veshje zyrtare. Ajo përfaqëson besimin e qytetarëve, autoritetin e ligjit dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë. Prandaj, mbajeni gjithmonë me dinjitet, nder dhe krenari”, u shpreh ai.
Kolonel Hoti theksoi se autoriteti i një polici nuk përcaktohet vetëm nga kompetencat që ia jep ligji, por edhe nga mënyra se si i trajton qytetarët dhe i kryen detyrat.
“Respekti fitohet përmes sjelljes, drejtësia dëshmohet përmes veprave dhe besimi ndërtohet përmes shërbimit”, tha Hoti.

