Kryeministri, Albin Kurti, ka vlerësuar rëndësinë e Policisë së Kosovës dhe përgjegjësinë që bartin pjesëtarët e saj, duke thënë se shërbimi me integritet dhe profesionalizëm duhet të jetë prioritet i pakompromis.
Në një postim në Facebook, pas ceremonisë së diplomimit të 397 kadetëve të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, Kurti ka thënë se përfaqësimi i këtij institucioni është një prej përgjegjësive më të larta që mund t’i besohet një personi.
“Përfaqësimi i Policisë së Kosovës, si pjesëtar i saj, është një prej përgjegjësive më të larta që mund t’i besohet e të pranojë dikush. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm, duhet të jetë përherë prioritet i pakompromis, sepse para së gjithash e gjithnjë është detyrë. Rëndësia e Policisë është aq e madhe, saqë e bën atë më tepër sesa institucion të rendit dhe ligjit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se nga momenti i betimit, secili pjesëtar i Policisë duhet të jetë i gatshëm të punojë me ndershmëri në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“Secila police e secili polic duhet të jetë në gatishmëri të plotë për të punuar me ndershmëri në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim, në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës së Republikës, duke kujtuar e nderuar secilën ditë jetën e kontributin e heronjve të Policisë sonë, si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës”, ka shkruar ai.




