Ramadan Selimi, vëllai i Rexhep Selimit në gjashtë vjetorin e arrestimit të tij e ka shënuar këtë ditë si gjashtë vite qëndresë, shkruan GazetaDemos.
Ai u shpreh i mërzitur me mungesën e tij "Gjashtë vjet larg familjes, larg përqafimeve të më të dashurve, larg festave, gëzimeve dhe momenteve që nuk kthehen më".
"Si vëlla, e ndjejë mungesa e tij. Më dhemb çdo festë familjare pa të, çdo përqafim i munguar dhe çdo ditë që kalon larg nesh. Por krenaria për qëndresën, dinjitetin dhe bindjet e tij është më e madhe se dhimbja", shkruan ai.
Postimi i plotë:
GJASHTË VJET NË PARABURGIM
GJASHTË VJET QËNDRESË!
U bën gjashtë vjet që kur vëllai im, Rexhep Selimi, u privua nga liria dhe u dërgua në Hagë, ku vazhdon të mbahet në paraburgim në Dhomat e Specializuara.
Gjashtë vjet larg familjes, larg përqafimeve të më të dashurve, larg festave, gëzimeve dhe momenteve që nuk kthehen më. Gjashtë vjet pritje, vizita, biseda telefonike e videolidhje, në përpjekje për ta zbutur sadopak mungesën e tij.
Por këto janë edhe gjashtë vjet betejë për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së, dinjitetin e çlirimtarëve, shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, edhe brenda kufizimeve të qelisë, Rexhepi nuk e ndali krijimtarinë. Poezi, shkrime, reflektime, fjalime e mesazhe që lan gjurmë në një kohe të rëndë në historinë tonë.
Në të gjitha këto vite, në çdo takim, bisedë apo videolidhje, e kemi parë të njëjtin Rexhep: të qëndrueshëm, stoik, të palëkundur në bindjet e tij, dinjitoz, me kokën lart dhe pa u thyer në idealin për të cilin ka vepruar dhe luftuar.
Asnjëherë nuk e kemi parë të dorëzuar. Asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të ankohet për fatin e tij. Përkundrazi, gjithmonë me fjalë inkurajuese për NE dhe për të tjerët.
Si vëlla, e ndjejë mungesa e tij. Më dhemb çdo festë familjare pa të, çdo përqafim i munguar dhe çdo ditë që kalon larg nesh. Por krenaria për qëndresën, dinjitetin dhe bindjet e tij është më e madhe se dhimbja.
Më 14 maj 2021, nga Haga, Rexhepi shkroi poezinë „LIRI“. Sot, pas gjashtë vjetësh, këto vargje tingëllojnë edhe më fuqishëm. Janë fjalë që nuk kanë nevojë për shumë koment, sepse e tregojnë vetë çmimin që ai është i gatshëm të paguajë për lirinë e atdheut.




