Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se ende nuk është diskutuar çështja e zgjedhjes së presidentit dhe se është shumë herët për të folur për kandidatura konkrete, përfshirë edhe emrin e Vjosa Osmanit.
Sipas Gashit, LDK-ja nuk është ende në fazën kur mund të marrë një qëndrim lidhur me këtë çështje, duke theksuar se paraprakisht duhet të bëhet një vlerësim politik më i thelluar.
“Ende nuk është diskutuar çështja e presidentit, është tepër herët. Nuk jemi ende në atë fazë. Duhet të bëhet paraprakisht një vlerësim politik nëse do të ketë një kandidat konsensual, në kuptimin që presidenti të jetë konsensual, që nënkupton më shumë se një parti që e propozon. Duhet parë se sa përfaqëson më shumë se një parti Vjosa Osmani, kjo kërkon një analizë më të thelluar”, ka thënë Gashi për Indeksonline.
