Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e përdorur nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj AGK-së dhe mediave tjera në vend.
AGK i ka cilësuar si të rrezikshme deklaratat e Kurteshit. Sipas AGK-së, këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren.
AGK-ja i ka bërë thirrje liderit të VV-së, Albin Kurti dhe presidentes Osmani që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, nga partia politike Vetëvendosje. Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.