Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë mund të mos mbetet vetëm në sallat e gjyqësorit.
Njohës të diplomacisë paralajmërojnë se aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, mund të ketë pasoja edhe për Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë synimin e saj në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare
Profesori universitar, Dritëro Arifi tha Rusia, Serbia dhe të gjitha vendet që kanë “problem” me shtetin e Kosovës, do ta përdorin këtë aktgjykim.
Madje sipas tij, verdikti dënues ndaj katërshes së UÇK-së e ka bërë pothuajse të pamundur rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.
“Gjykatat Speciale kanë më shumë vendime politike sesa juridike, dhe në një farë mënyrë besoj se për Kosovën ka qenë një agresion politik me mjete juridike. Mendoj që edhe Bashkimi Evropian nuk është i vetëdijshëm efektin që ka me e prodhu. Jo tash menjëherë, sepse menjëherë nuk vërehen. Kjo do ta dëmtojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Unë besoj që anëtarësimi i Kosovës drejt BE-së, me këtë do të jetë pothuajse i pamundur. Vendet që nuk e kanë njohur, mendoj se nuk do të lëvizin më”, u shpreh Arifi. /KlanKosova