Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se punëtorët teknik të shkollave fillore në Prishtinë mund të hyjnë sërish në grevë nga 5 tetori nëse institucionet nuk ndërmarrin masa për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka thënë se sindikata që në fillim të gushtit e kishte paralajmëruar Komunën e Prishtinës se, nëse punëtorët nuk paguhen për muajin gusht konform vendimit për pagën minimale, do të ndërmerren veprime sindikale.
“Ne dikur në gusht e kemi në fillim gusht e kemi paralajmëruar Komunën e Prishtinës se nëse punëtorët për muajin gusht dhe korrik nuk paguhen konform vendimit të Qeverisë lidhur me pagën minimale, do të futemi në grevë. Ne më 1 shtator kemi hy në grevë edhe shkollat fillore edhe shkollat e mesme, përderisa tek shkollat fillore pronari i kompanisë nga buxheti i vet e ka përmbushur kriterin e pagës minimale, sipas gjitha gjasave tani për muajin shtator besoj që nuk do të mund ta përmbushë sepse Komuna e Prishtinës nuk po e kryen detyrën që e ka”, ka deklaruar Azemi.
Sipas tij, për shkak të kësaj situate, punëtorët teknikë të shkollave fillore mund të hyjnë sërish në grevë nga 5 tetori.
“Dhe për këtë shkak, ne sipas gjitha gjasave që nga 5 tetori prapë shkollat fillore do të hyjnë në grevë”, është shprehur ai.
Azemi ka bërë të ditur se sindikata ka paralajmëruar edhe Qendrën e Studentëve, për shkak të mospagesës së punëtorëve konform vendimit për pagën minimale.
“Përndryshe, ne kemi paralajmëruar me kohë edhe Qendrën e Studentëve, sepse edhe këta për muajin korrik nuk e kanë bërë pagesën konform vendimit të Qeverisë së Kosovës, dhe punëtorët teknikë që… një kompani private që kryejnë shërbime për KEK-un, edhe këta nuk i kanë paguar pagat konform vendimit”, ka thënë Azemi për Ekonomia Online.
