Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, duke vlerësuar se ky vendim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në një deklaratë të publikuar sot, më 8 tetor 2026, nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), thuhet se Bashkimi Evropian ka mbështetur vazhdimisht punën e Gjykatës Speciale si institucion i pavarur gjyqësor.
“Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.
BE-ja rikujton se Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014–2015, funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës dhe janë të përfshira në Kushtetutën e vendit.
Sipas BE-së, mandati aktual dhe pavarësia e këtij institucioni duhet të respektohen plotësisht.




