Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas peticionit të nënshkruar nga 336 akademikë, juristë dhe intelektualë, të cilët i janë drejtuar Kuvendit të Kosovës me kërkesën për miratimin e një rezolute ose krijimin e një mekanizmi llogaridhënës ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë.
Haradinaj e ka cilësuar këtë nismë si të domosdoshme dhe të vonuar, duke theksuar se shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore ndaj të paraburgosurve shqiptarë janë bërë të pandalshme.
Sipas tij, gabimet procedurale, mohimi i të drejtave dhe cenimi i integritetit njerëzor nga ana e Speciales po vazhdojnë pa asnjë përgjegjësi institucionale. Ai ka theksuar se kjo gjykatë, e krijuar nga Republika e Kosovës, ka detyrim t’i përgjigjet institucioneve të saj dhe të operojë në përputhje me Kushtetutën – gjë që sipas tij nuk po respektohet.
