Kreu i Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka prezantuar një raport preliminar të mbikëqyrjes së punës së Dhomave të Specializuara pas shqetësimeve që ishin ngritur lidhur me procesin e gjykimit dhe aspektet e mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, shqetësime ndaj të cilave Haga kishte qëndruar e heshtur.
Qelaj ka treguar se ky raport është hartuar nga një organizatë britanike e quajtur “Bar of Human Rights Committee”, e cila është e pavarur dhe ka integritet, meqë Haga s’kishte kthyer përgjigje ndaj autoriteteve kosovare.
“Gjykata ka qëndruar e heshtur. Duke parë këtë mungesë transparence, kemi angazhuar një autoritet të pavarur për të kryer një vlerësim preliminar për shqetësimet. Përzgjedhjen e organizatës e kemi bërë duke marrë parasysh pavarësinë dhe integritetin profesional. Raporti është plotësisht i pavarur, s’kemi pasur asnjë ndërhyrje”, ka thënë Qelaj.
Ai në konferencë ka numëruar të gjitha gjetjet e raportit dhe shqetësimet e konfirmuara. Si gjetje të parë, Qelaj ka përmendur kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, ku përfshihet mungesa e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimi i komunikimeve familjare dhe profesionale.
“Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”, ka thënë ai.
Gjithashtu raporti ngre si shqetësim mbikëqyrjen sistematike të komunikimeve. Qelaj tregon se edhe gjatë vizitës që vetë kishte zhvilluar, kishte qenë subjekt i incizimit gjatë gjithë kohës nga kamerat e vendosura.
“Raporti tregon se mbikëqyrja sistematike e komunikimeve me të cilat jam ballafaquar edhe unë, sepse në vizitën e vitit 2025 jam vëzhguar nga dy kamera që kanë incicuzar gjatë gjithë kohës, pra raporti konstaton se kjo përbën ndërhyrje në nenin 8”, ka shtuar ai.
Qelaj thotë se Raporti ngrit shqetësime serioze edhe për mungesën e mekanizmave efektiv të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional.
