Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjera të Gjakovës ku ishin vrarë 370 civilë. Shkak u bë mungesa e tre avokatëve.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të 25 majit 2026, e kishte kthyer në rivendosjes vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit kjo e fundit kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e sotme, nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra u bë e ditur se pas kthimit të rastit në rivendosje, Gjykata ka ndërmarrë veprime për thirrjen e të akuzuarve që të prezentojnë në gjykim. Mirëpo, asnjë nga të akuzuarit deri më tani nuk është paraqitur.
Në seancë munguan tre avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare, andaj fillimisht seanca shkoi në pauzë, në mënyrë që Gjykata t’i kontaktojë për të siguruar prezencën e tyre.
Gjykatësja Namani-Hajra tha se avokati Valon Hasani i ka njoftuar se ka harruar datën e seancës së sotme, andaj nuk mund të arrijë shpejt në gjykim.
Po ashtu, mungoi edhe avokatja Uresa Restelica, për të cilën u tha se e ka licensën e pezulluar.
Ndërkaq, avokati tjetër- Laur Prenaj ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të paraqitet, por se mund të vijë shpejt. Mirëpo, gjykatësja tha se për shkak të mungesës edhe të avokates Restelica, nuk ka kushte për mbajtjen e gjykimit.
Seanca e radhës u caktua për 25 shtator 2026.
Prezente në seancë ishte prokurorja Fikrije Salihu-Fejzullahu dhe avokatët e 50 të akuzuarve tjerë të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 16 qershor 2025, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte lexuar aktakuza nga prokurori Ilir Morina dhe Gjyjata konstatoi se është e bindur se janë bërë përpjekje për sigurimin e të akuzuarve, andaj mori vendim që gjykimi të mbahet në mungesë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2023 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Aktakuza u ndryshua më 23 dhjetor 2024. Të gjithë të pandehurit, deri tani gjenden në arrati.
Të akuzuar në këtë rast janë: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miqunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçilo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshan, Danilo Zeçeviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shçepanoviq, Predrag Stojanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Lekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashqeviq, Dushan Prashqeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçilo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës, në fshatrat e Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen, në këto cilësi: Momir Stojanoviq- si shef i Departamentit të Sigurisë së Komandës në Korpusin e Prishtinës, Sreten Çamoviq- Shef i Departamentit të Shtetit për Siguri (UDB), Nikola Miqunoviq-Komandant i Njësive Rezervë, Milovan Kovaçeviq- Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, Sergej Peroviq- Shef i Sigurimit në Brigadën 52 të Artilerisë dhe Raketave të Mbrojtjes Ajrore në Garnizonin e Gjakovës, Korpusi i Prishtinës- Armata III, Verolub Zhivkoviq- Komandant i Postëkomandës Pararojë dhe Shefi i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Milan Kotur- Shef i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, Radomir Çoliq- Komandant i Njësive “Posebne Jednice Policije” (PJP) të Policisë në Gjakovë, Dragutin Josifoviq- Komandant i Stacionit Policor në fshatin Ponoshevc të Gjakovës, Franko Simatoviq- Komandant i Stacionit Paramilitar “Jedinica za Spedijalne Operacije” (JSO), Momçilo Stanojeviq- Komandant i Mbrojtjes Territoriale, Vllatko Vukoviq- Komandant i Batalijonit të Dytë të Brigadës së Motorizuar, Ilija Todorov-Komandant i Brigadës 63 parashutiste.
Tutje, Stevo Kaponja- komandant i Batalionit 52 të Policisë Ushtarake, Dragan Zhivanoviq-Komandant i Brigadës 52 të Raketave Artilerie, Millosh Gjoshan- Komandant i Brigadës 52 të Raketave Artilerike, Danilo Zeçeviq- ndihmëskomandant i kompanisë PJP të Gjakovës gjatë kohës së luftës, Dimitrije Rashoviq- polic në stacionin policor në Gjakovë, Millosh Shçepanoviq-polic në Stacionin Policor në Gjakovë, Predrag Stojanoviq-polic, Aleksandar Pekoviq- polic, Zhivko Vuksanoviq- polic, Millutin Novakoviq- polic në Stacionin Policor në Gjakovë, Sokol Abazi- Pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Novica Stankoviq- zëvendëskomandant i Brigadës 52 të Artilerisë, Misho Popoviq- ndihmëskomandant për punë operative në Datashmenin 113 të mbojtjes territoriale, Millan Noviqeviq- polic rezervist, Nenad Rajiçeviq- punëtor sigurimi i Postës në Gjakovë, Muharrem Ibraj- pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Millan Slavkoviq- Shef i Departamentit të kufijve të huajve dhe çështjeve administrative në MPB në Gjakovë, Dragan Isailloviq- punëtor i elektrodistribucionit, Sasha Antiq- komandant i njësisë në Batalionin 52 të Policisë Ushtarake, Zllatko Odak- pjesëtar i Brigadës 52 të Raketave Artilerike, Savo Lekiq- polic, Dragan Raciq- polic, Milladin Novakoviq- komandant i Stacionit Policor në Junik, Dragan Pekoviq- pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Njegosh Prashqeviq- polic, Dushan Prashçeviq- rezervist i UJ, Ranko Vukadinoviq- zjarrëfikës, Momçilo Stijoviq- polic, Dushan Nedoviq- polic, Gjokica Mihajlloviq- polic, Mirash Gegoviq- polic, Zoran Mirkoviq-polic, Aleksandar Miqunoviq- polic, Llazar Drashkoviq- polic, Mihill Abazi- polic/pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Momçilo Novakoviq-polic, Marko Abramoviq- polic, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq- polic dhe Predrag Miqunoviq- polic.




