Sot, familjarët, miqtë, kolegët dhe qytetarë të shumtë do t’i japin lamtumirën e fundit zyrtarit policor Altin Kryeziu nga Bubaveci i Malishevës, i cili ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas plagëve të marra në një aksident trafiku.
Kryeziu u godit nga një veturë disa ditë më parë në Malishevë, derisa ishte duke kryer detyrën zyrtare. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të pësuara.
Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet sot në varrezat e fshatit Bubavec, duke filluar nga ora 17:00.
Në njoftimin mortor, familja e ka përshkruar Altin Kryeziun si një djalë, polic dhe njeri që la pas kujtime të shumta, dhimbje dhe respekt.




