Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri, KAMO 2026, në Prizren.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se Prizreni e ka historinë të pranishme në çdo hap, në rrugët, shtëpitë, shkollat dhe institucionet e tij, janë ndërthurur ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe politike përgjatë historisë së kombit tonë.
“Sot, në mendjet e nxënësve që garojnë me dije, përqendrim dhe këmbëngulje po merr formë edhe një pjesë tjetër e së ardhmes, mu në qytetin e Prizrenit. Ju e dini që matematika e mëson njeriun të mos kënaqet me përshtypjen e parë. Para një problemi, ju duhet të ndaleni, t’i lexoni udhëzimet me kujdes, ta provoni një rrugë, të ktheheni mbrapsht kur ajo nuk çon askund dhe ta kërkoni zgjidhjen me durim”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, aty ku duket se mjafton një përgjigje, matematika kërkon edhe arsyen pse ajo përgjigje qëndron, prandaj, shtoi ajo kjo olimpiadë ka vlerë të veçantë: sepse i mëson nxënësit të mendojnë qartë, të mos dorëzohen para vështirësisë dhe ta kuptojnë se talenti rritet vetëm kur shoqërohet me punë të vazhdueshme.
“Prania juaj këtu tregon se keni talent por edhe disiplinë dhe punë. Por pas talentit dhe punës qëndrojnë edhe mësuesit që ju kanë udhëzuar, familjet që ju kanë mbështetur dhe durimi juaj për të ngadhënjyer. Sot, secili prej jush ka arsye të ndihet krenar dhe secili prej jush është fitues sepse keni arritur deri këtu përmes punës suaj, dhe ky është mësimi më i mirë që do të merrni”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
