Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar përmes një letre nga burgu se nuk ekziston asnjë provë nga SPAK-u, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.
Letra u lexua në konferencën e kësaj të mërkure nga sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, ku Meta shpjegon se vajza e tij ka siguruar një analizë financiare që përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij nga viti 1995 deri në vitin 2023, shkruan euronews.
“Lidhur me çështjen e pasurisë, dua të theksoj se akuzat e prokurorëve janë të pavërteta dhe të bazuara në falsifikim. Vajza ka siguruar ekspertizën financiare që vërteton se pasuritë e mia gjatë këtyre viteve (1995-2023) janë 87 milionë lekë të reja. Ky hetim ndaj meje ka rezultat të qartë, 0 qindarkë e paligjshme nga unë dhe 0 metër katror e paligjshme. Nëse keni dyshime, mund të vini t’ju jap sqarime në burgun 313. Edhe në Rusi lejohet që të intervisohen politikanët e burgosur, prandaj nuk përbën asnjë lloj problemi”, thuhet në letrën e Metës, të lexuar nga Blushi.
Ai gjithashtu ka përgënjeshtruar lidhjen e tij me çështjen CEZ-DIA, duke theksuar se kjo çështje është hetuar dy herë pa përfshirë emrin e tij dhe se shteti shqiptar ka përfituar financiarisht nga kjo procedurë.
Meta ka mohuar gjithashtu çdo shkelje ligjore në lidhje me lobimet, duke premtuar publikimin e kontratave dhe letrës porositëse për të sqaruar të vërtetën. Ai ka theksuar se hetimi mbi pasurinë e tij nuk ka rezultuar në asnjë mospërputhje ligjore dhe se çdo akuzë është e pavërtetë dhe e bazuar në falsifikim.
