Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), me një delegacion prej 30 përfaqësuesish, po zhvillon një vizitë zyrtare në qytetin e Izmirit të Republikës së Turqisë, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe institucional ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Pjesë e delegacionit të Kosovës janë përfaqësues të nivelit qendror dhe lokal, përfshirë ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z. Jeton Mehmeti, kryetarët e komunave të Pejës, Prizrenit, Mamushës dhe Junikut, përfaqësues nga Prishtina, si dhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Stamboll, z. Dren Zeka.
Gjatë qëndrimit në Izmir, delegacioni ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si dhe ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë–Izmir dhe takimet bilaterale B2B ndërmjet bizneseve të të dy vendeve.

Në fokus të këtyre takimeve ishte prezantimi i potencialit ekonomik të Kosovës, identifikimi i mundësive konkrete për investime, zgjerimi i shkëmbimeve tregtare dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre turke.




