Analisti dhe profesori amerikan, Edward Joseph, e sheh anëtarësimin në NATO si një prej rrugëve kryesore që do të sheshonte problemet në Ballkan Perëndimor në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që do të hapte horizonte të reja për Kosovën.
Sipas tij, nëse Trump do t’i premtonte Kosovës një rrugë të sigurtë për anëtarësim në NATO në këmbim të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çdo kryeministër i Kosovës do të pranonte diçka të tillë.
Joseph në një intervistë për Civil Today ka thënë se Trump mund t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë në Shtëpi të Bardhë për të nënshkruar marrëveshje që do të angazhohen me objektiv drejt anëtarësimit në NATO.
“Presidenti Trump mund t’i ftojë udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës , siç bëri gjatë administratës së tij të parë në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje. Në atë marrëveshje, të dyja palët do të angazhoheshin zyrtarisht ndaj NATO-s si një objektiv strategjik”, ka thënë profesori amerikan.
Joseph sqaron idenë e tij për mbajtjen e raportit në mes të Kosovës dhe Serbisë në një nivel të qëndrueshëm, derisa të dy vendet do të anëtarësoheshin në NATO, moment ky kur duhet të ndodh edhe njohja-reciproke. Si rrugë drejt kësaj qëndrueshmërie, Joseph përmend edhe themelimin e Asociacionit, si diçka që o të merrte Serbia, raporton Express.
“Çështja kryesore është se Vuçiç do të merrte diçka konkrete. Ai do të merrte një statut të nënshkruar nga BE-ja që themelon Shoqatën e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, diçka që Serbia, BE-ja dhe SHBA-ja e kanë kërkuar të gjitha. Ai nuk do të detyrohej ta njihte zyrtarisht Kosovën në atë fazë.
Njohja do të bëhej e pashmangshme më vonë kur të dy vendet të jenë gati të bashkohen me NATO-n sepse aleatët duhet ta njohin njëri-tjetrin. Por deri atëherë, konteksti do të ishte krejtësisht i ndryshëm: tensione të reduktuara në mënyrë dramatike dhe një orientim strategjik rrënjësisht i ndryshuar për Serbinë”, ka potencuar Joseph.
Joseph ka thënë se një rruge të tillë çdo lider serb do ta kishte tepër të vështirë t’i thoshte jo.
