Protesta “Jo në emrin tim” ka hyrë në natën e tetë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku protestuesit kanë vazhduar të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje institucionale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka thënë se qytetarët janë mbledhur për tetë ditë radhazi në shesh në mbështetje të UÇK-së, duke kërkuar që institucionet të veprojnë lidhur me kërkesat e tyre.
“Vëllezër dhe motra! Sonte u bënë 8 ditë nga qëndrimi ynë bashkë në këtë shesh! Çdo ditë u bëmë bashkë për UÇK-në. Çdo natë populli erdhi në shesh, sepse UÇK-ja është e popullit dhe populli është i UÇK-së. Edhe sonte dua t’ju falënderoj për qëndresën, për besimin dhe për ngritjen e zërit kundër padrejtësisë. Populli i Kosovës nuk e duron padrejtësinë. Padrejtësia e Millosheviqit e lindi UÇK-në. E padrejtësia e Gjykatës Speciale e zgjoi popullin prapë. Më shumë se 26 vjet më parë, regjimi i Millosheviqit deshi ta shtypte popullin tonë. E ne u bëmë bashkë kundër shtypjes. E sot, kur po shtrembërohet historia jonë, po bëhemi bashkë kundër harresës dhe kundër shtrembërimit të së vërtetës”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se protesta, sipas tij, po dëshmon se mbështetja për UÇK-në vazhdon të jetë e pranishme.
“Dhe po e shohim tash e 8 ditë me radhë: E vërteta ka dalë në shesh! Sepse sot ne jemi këtu për atë histori. Sot ne jemi këtu për UÇK-në. Sot ne jemi këtu për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Calin e Pjetrin”, është shprehur ai.
Haziri ka folur edhe për familjet e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ata vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre.
“Por sonte dua të ndalemi vetëm për një çast. Pas pak, kjo protestë do të përfundojë. Ne do të nisemi për në shtëpitë tona. Do ta hapim derën e shtëpisë. Dikush do t’i përqafojë fëmijët. Dikush do ta gjejë nënën duke e pritur. Dikush do të ulet me gruan, me burrin, me familjen e tij. Dhe nesër në mëngjes do të zgjohemi të lirë. Por Hashimi sonte nuk kthehet në shtëpi. Kadriu sonte nuk kthehet në shtëpi. Rexha sonte nuk kthehet në shtëpi. Jakupi sonte nuk kthehet në shtëpi. Sonte, edhe një natë tjetër, ata do të jenë larg familjeve të tyre. Edhe një natë tjetër, fëmijët e tyre nuk do ta kenë babanë në shtëpi. Edhe një natë tjetër, nipërit e mbesat nuk do ta kenë gjyshin pranë. Edhe një natë tjetër UÇK-ja është prapa grilave”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, qytetarët që marrin pjesë në protestë kanë përgjegjësi për të mos heshtur dhe për të vazhduar mbështetjen.
“E ne do të ecim të lirë nëpër Prishtinë. Do të kthehemi të lirë në shtëpitë tona. Dhe pikërisht për këtë, ne kemi përgjegjësi. Sepse liria nuk është vetëm e drejtë. Liria është edhe përgjegjësi. Përgjegjësi për të mos harruar! Përgjegjësi për të mos heshtur! Përgjegjësi për të mos i lënë vetëm!”, ka thënë ai.
Haziri u ka drejtuar një mesazh ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Dhe sonte dua që zëri ynë të shkojë prej këtij sheshi deri atje ku janë ata. Hashim! Kadri! Rexhë! Jakup! Ndoshta sonte nuk na dëgjoni. Por dijeni: Kosova nuk ju ka harruar! Populli juaj është këtu! Fëmijët tuaj nuk janë vetëm! Familjet tuaja nuk janë vetëm! Dhe përderisa ne jemi të lirë të ngremë zërin tonë, do ta ngremë!”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se protesta po vazhdon pavarësisht pritjeve se do të përfundonte pas disa netësh.




