Një hetim ndaj një figure të njohur të krimit të organizuar në Goteborg të Suedisë ka përfunduar me një dënim të rëndë me burg, konfiskimin e pasurive me vlerë miliona dhe dëbimin e përjetshëm nga vendi.
52-vjeçari, i cili për rreth 25 vjet konsiderohej pjesë e niveleve të larta të krimit të organizuar në Goteborg, është dënuar nga Gjykata e Apelit me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim për vepra veçanërisht të rënda të narkotikëve dhe pastrim të rëndë parash.
Sipas raportimit të mediave suedeze, vendimi përfshin edhe konfiskimin e pasurive të tij në Suedi dhe në Kosovë.
Bëhet fjalë për dy prona të paluajtshme, një veturë luksoze të markës Audi, mjete financiare në banka, para të gatshme, ora dore dhe ari. Gjykata ka vendosur gjithashtu masa për sigurimin e pasurive në vlerë prej 6.1 milionë kronash suedeze, shkruajne mediat atje.
Sipas aktgjykimit, 52-vjeçari ka qenë i përfshirë në trajtimin e 12 kilogramëve kokainë dhe të paktën 300 kilogramëve kanabis. Provat që kontribuuan në dënimin e tij përfshinin materiale përgjimi nga shërbime të enkriptuara të komunikimit, përfshirë EncroChat.




