Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të shpallë konkurs për avancimin e katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Konkursi do të hapet më 17 nëntor dhe do të qëndrojë i hapur për 15 ditë.
Vendimi u mor në mbledhjen e KPK-së, pas kërkesës së ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, i cili kishte kërkuar shtatë prokurorë shtesë. Megjithatë, pas shqyrtimit të gjendjes së përgjithshme në sistemin prokurorial, u propozua që kërkesa të miratohej pjesërisht, përkatësisht për katër pozita.
Propozimi mori pesë vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se ndryshimet ligjore kanë zgjeruar kompetencat e Prokurorisë Speciale, duke ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve që trajtohen nga ky institucion. Sipas tij, pavarësisht ngarkesës së shtuar, kapacitetet njerëzore vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme.
“Me ndryshimet e ligjit për Prokurorinë Speciale është zgjeruar kompetenca e kësaj prokurorie, gjë e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të lëndëve të pranuara dhe të trajtuara dhe se kjo rritje është reflektuar edhe në raporte statistikore, ndërkohë që kapacitetet njerëzore kanë mbetur të pamjaftueshme për përballimin e ngarkesës aktuale.. Duke marrë parasysh situatën në Prokurori Speciale pa i dëmtuar dhe prokuroritë e tjera, vlerësojmë që shpallja për avancim do të mund të bëhej në katër pozita dhe jo në shtatë”, tha ai
Gashi theksoi se mungesa e prokurorëve nuk është problem vetëm i Prokurorisë Speciale, por i të gjithë sistemit prokurorial, veçanërisht i prokurorive themelore.
Ai bëri të ditur se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i rekrutimit për 27 pozita të prokurorëve, por vlerësoi se nevojiten edhe kapacitete të tjera shtesë për përballimin e ngarkesës me lëndë.




