Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, si dhe dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve financiare me institucione ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Zyrës për Media të Qeverisë, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përfshirë statusin, organizimin e brendshëm dhe financimin e saj.
Projektligji parasheh gjithashtu monitorimin e funksionimit të tregjeve të energjisë, dhënien e lejeve dhe certifikimin në këtë sektor, miratimin e tarifave dhe metodologjive tarifore, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit përkatës.




