Vetëm dy ditë pasi u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Serbi, përfaqësuesit e Listës Studentore, të cilët arritën ta sfidonin partinë e Aleksandar Vuçiçit, zgjodhën Kosovën për vizitën e tyre të parë zyrtare.
Gjatë vizitës në Graçanicë, në Manastirin e Deçanit dhe në Prizren, ata iu referuan Kosovës si pjesë të Serbisë, duke shprehur qëndrime të ngjashme me ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Feđa Dimović, njëri nga anëtarët e kësaj liste, e cila konsiderohet si progresiste në Serbi, decidivisht tha se “Kosova dhe Metohia kanë një vend të rëndësishëm në programin e Listës Studentore, gjë që konfirmon se KIM-i është pjesë integrale e Serbisë dhe shtyllë e identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor.”
Por, përtej kësaj, mbetet e paqartë se kush ua mundësoi hyrjen në Kosovë dhe nëse institucionet e vendit ishin në dijeni të kësaj vizite.
VOX Kosova ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga Xhelal Sveçla, nëse ishte e informuar për vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore dhe nëse ata kishin marrë leje për të hyrë në Kosovë. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, MPB-ja nuk ka kthyer përgjigje.
Për këtë vizitë reagoi edhe anëtari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Burim Ramadani, nga Aleanca. Ai deklaroi se, pavarësisht nëse bëhet fjalë për përfaqësues të Listës Studentore, të partisë së Vuçiçit, Daçiqit, Vulinit apo kujtdo tjetër, politikanët serbë nuk duhet të lejohen të hyjnë në Kosovë për të nxitur, provokuar, fyer apo ofenduar shtetin e Kosovës.
Ramadani bëri të ditur se Komisioni Parlamentar për Siguri, në mbledhjen e mbajtur të martën, kishte vendosur t’i kërkonte ministrit të Punëve të Brendshme informatë me shkrim lidhur me këtë çështje.
Lista Studentore mund të konsiderohet progresiste në kontekstin politik të Serbisë, por por për Republiken e Kosovës, nuk do të thotë asgjë.