Gjykata në Kishinjev dënoi tre persona për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, i cili gjatë vitit 2024 kishte përgatitur trazira të dhunshme masive në Moldavi dhe kishte organizuar trajnime në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Sipas aktakuzës, trajnimet ishin organizuar dhe drejtuar nga persona nga Rusia, në bashkëpunim me shtetas moldavianë, me qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2024.
Informacionet për “kampet ruse” në Bosnje e Hercegovinë u shfaqën në tetor të vitit 2024. Atëherë, agjencitë e sigurisë së Moldavisë deklaruan se kishin identifikuar më shumë se 100 të rinj, të cilët dyshohet se ishin trajnuar në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, për destabilizimin e vendit.
Gjykata në kryeqytetin e Moldavisë, më 6 shkurt, dënoi Aliona Gotcon dhe Ludmila Costencon me nga katër vjet e një muaj burgim, ndërsa Vladimir Harcevnicov u dënua me pesë vjet e katër muaj burgim.
Vendimi u mor në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpalljen e dënimit. Gjykata urdhëroi arrestimin e tyre për t’i dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa aktgjykimi mund të ankimohet.
Në vendim thuhet se të akuzuarit kanë vepruar si pjesë e një strukture kriminale të qëndrueshme, nën koordinim nga Rusia, dhe kishin të ndara qartë rolet.
Sipas gjykatës, aktivitetet e tyre përfshinin rekrutimin e anëtarëve të rinj, mbështetje logjistike, sigurimin e pajisjeve, si dhe trajnime për veprime të dhunshme dhe destabilizuese.
Një pjesë e veçantë e aktgjykimit i referohet trajnimeve që, sipas gjetjeve të gjykatës, janë mbajtur jashtë territorit të Moldavisë, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Gjykata thekson se të akuzuarit kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë zonën e Gllamoqanit, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.
Sipas aktgjykimit, këto trajnime përfshinin menaxhimin dhe përdorimin e avancuar të dronëve, lidhjen e tyre me qendrat komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese me ndihmën e dronëve.
Përveç kësaj, në vendim thuhet se trajnimet kanë përfshirë edhe taktika për shkaktimin e panikut dhe kaosit, metoda për çarjen e kordonëve policorë, aktivitete diversant-subversive, si dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.
Gjykata konstatoi se këto aktivitete ishin të lidhura drejtpërdrejt me planet për organizimin e trazirave të dhunshme në Moldavi.
Serbia përmendet në dokumentet gjyqësore si një nga vendndodhjet e qëndrimit dhe trajnimit, por edhe si vend transit në rrugën e të akuzuarve drejt Bosnje e Hercegovinës.
