Tenderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A, me vlerë 137,340,000 Euro, është pezulluar dje nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), vetëm një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave.
Për këtë çështje ka shkruar ministri në dorëheqje, Hekuran Murati, i cili OSHP-në e quajti “institucion të kapur nga opozita”.
“Sa herë që KEK tenton të regjenerojë kapacitetet, disa nga opozita mobilizohen me të gjitha institucionet e kapura që të pengojnë çfarëdo pune që do rriste sigurinë e furnizimit apo edhe kapacitetet gjeneruese nga KEK. Rastin më të fundit e keni tenderin për rehabilitim të bllokut A3, për të cilin Hykmetja që nga dita e parë ka sulmuar ndërmarrjen. Sot, Hykmetja i qenka gëzuar lajmit se tenderi qenka pezulluar me urdhër të OSHP-së, me arsyetimin se tenderi ka kritere diskriminuese për kompanitë lokale (cila kompani lokale ka kapacitet për rindërtim të termocentraleve se?)”, ka shkruar Murati.