Reagimi i parë publik i Arbana Osmanit për protestat që po zhvillohen në Shqipëri nuk është pritur mirë nga një pjesë e ndjekësve të saj.
Moderatorja ka thyer heshtjen pas disa ditësh protestash studentore dhe përplasjesh me policinë, por është përballur me kritika për vonesën e reagimit.
Përmes një postimi në Instagram, Arbana shpjegoi arsyen e heshtjes së saj: “Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh”.
Ajo shtoi se ngjarjet në Shqipëri nuk janë një reality show që duhet komentuar me tifozllëk nga divani apo një mundësi për të mbledhur pëlqime në Instagram.
Si nënë e tre fëmijëve, moderatorja shprehu shqetësimin për të rinjtë që po përballen me dhunën, si dhe për dëmet e shkaktuara në kryeqytet. Në fund, ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama me mesazhin: “Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje”.
Megjithatë, shpjegimi për heshtjen disaditore nxiti reagime të shumta kritike. “Më mirë mos të kishe folur fare!”, shkroi një ndjekëse, ndërsa një tjetër ironizoi: “Po shumë herët reagove, o Bana”.




