Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Irani është përpjekur të vrasë një nga djemtë e tij.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë për televizionin izraelit Channel 14, Netanyahu tha se informacioni për këtë komplot ishte mbajtur i fshehtë për muaj të tërë. “Ka diçka të pabesueshme. Irani shënjestroi një nga djemtë e mi. U përpoq ta vriste”, deklaroi Netanyahu.

Ai tha se kërcënimi ndaj familjes së tij është një nga arsyet pse ajo vazhdon të ketë mbrojtje të posaçme. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa autoritetet izraelite përballen me kërcënime të vazhdueshme ndaj zyrtarëve dhe figurave publike.