Në Kuvendin e Kosovës ka nisur procesi i hartimit të Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se, pavarësisht legjislacionit që garanton të drejtat e grave, ato vazhdojnë të përballen me padrejtësi në shumë fusha të jetës.
Ajo theksoi se barazia gjinore duhet të jetë prioritet dhe bëri të ditur se gjatë nëntorit dhe dhjetorit do të zhvillohen vizita në shtatë qendrat rajonale të Kosovës, për konsultime me organizata lokale, strehimore, gra nga zonat rurale, komunitetet joshumicë dhe gra me aftësi të kufizuara.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila prezantoi statistikat për dhunën në familje.
