Zgjedhja e kreut të shtetit mbetet ende një çështje e hapur për shkak të ngatërresave dhe mospajtimeve mes partive kryesore politike në vend, duke mbajtur pezull edhe formimin e institucioneve të reja.
Kryediplomati, Glauk Konjufca sheh gatishmëri te Lidhja Demokratike për një emër konsensual, megjithëkëtë insistimi i Partisë Demokratike për ta marrë këtë pozitë dhe përçarjet e brendshme brenda LDK-së e bëjnë të pasigurt një marrëveshje përfundimtare. Njohës të fushës bëjnë thirrje për një kompromis politik, në mënyrë që Kosova ta shmangë një tjetër proces zgjedhor dhe pasojat e mungesës së institucioneve funksionale.
Marrëveshjet për postin e kreut të shtetit vazhdojnë ta ndajnë spektrin politik në vend. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, vlerëson se një marrëveshje për çështjen e presidentit është më e mundshme me Lidhjen Demokratike, duke theksuar se Partia demokratike po bllokon procesin me insistimin për postin. Në këtë kontekst, Konjufca bëri të ditur se LDK-ja është treguar më e hapur për bashkëpunim rreth një emri konsensual, duke lënë PDK-në në pozicione të ngurta.
“PDK është në pozicion i njëjtë mendojnë se presidenti duhet të jetë i PDK. LDK ka dhënë qëndrim se mund të ketë bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit që do të mund të ishte reprezentativ për të gjithë”, tha Konjufca.
Duke përshëndetur qëndrimin konstruktiv të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryediplomati Konjufca u shpreh optimist se me gjithë dallimet, subjektet politike do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, zgjatja e kësaj krize dhe mungesa e institucioneve plotësisht funksionale po e dëmtojnë rëndë Kosovën, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
