Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, tha se qytetarët e ngatërrojnë rolin e Qendrës për Punë Sociale me rolin e drejtorisë që ajo udhëheq.
Ajo tha se kjo pozitë është për hartim të politikave sociale në nivel lokal dhe se nuk trajton rastet direkt.
Për këtë, Mujaj-Bajraktaraj tha se linçimet ndaj saj kanë qenë të padrejta.
“Është një prej përballjeve më të vështira në jetën time, jo në aspektin e punës dhe përgjegjësisë institucionale që më takon, por në aspektin e përgjegjësive njerëzore pasi të ndjerën e kam pasë bashkëvendase dhe mendoj që padrejtësisht jam gjykuar e linçuar me detyrime e përgjegjësi që drejtpërdrejt nuk më takojnë. Unë jam drejtor politik, nuk trajtoj raste direkt, nuk jap mendime e vendime, në raport me fëmijët dhe rastet e dhunës. Unë hartoj politika për zhvillimit të fushës sociale në nivel lokal”.




