Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se është kundër çdo bashkëpunimi qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar qeverisjen e saj si të dëmshme për vendin.
Rrahmani tha se përfshirja në një qeveri me LVV-në do të nënkuptonte pranimin e, siç u shpreh ai, “keqqeverisjes” së gjashtë vjetëve të fundit.
“Unë nuk besoj se duhet të përfshihemi në një keqqeverisje me një pushtet që ka përdorur çdo mjet propagandues, nxitës dhe përçarës ndaj popullit dhe kategorive që kontribuojnë për shoqërinë. Çdo bashkëpunim do të nënkuptonte ndarjen e përgjegjësisë dhe pranimin si të mirëqenë të kësaj qeverisjeje. Situata politike është jashtëzakonisht e rëndë, institucionet nuk po funksionojnë si duhet dhe vendi po shkon drejt autoritarizmit”, deklaroi ai për RTV21.
