Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar sot se bllokimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk është më vetëm një krizë politike, por çështje e mbrojtjes së rendit kushtetues, institucioneve dhe vetë Republikës.
Pas seancës së tretë të iniciuar nga PDK-ja, në përputhje me afatin prej 48 orësh të paraparë me Rregulloren e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, Tahiri tha se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të refuzojë thirrjen dhe zhvillimin e seancës, duke e mbajtur Kuvendin të bllokuar dhe institucionet peng të kalkulimeve politike.
“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, deklaroi Tahiri.
Ai theksoi se liria dhe shteti i Kosovës janë rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se askush nuk mund t’i trajtojë institucionet e Republikës si pronë personale apo si instrument për interesa partiake.
“Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit. Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është garancia se institucionet nuk mund të shndërrohen në instrument të një individi dhe se askush nuk është mbi Republikën. As Albin Kurti”, tha ai.
Tahiri tha se Kosova nuk mund të mbahet peng derisa Albin Kurti t’i zgjidhë problemet dhe kalkulimet e veta politike, duke theksuar se Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e shtetit nuk janë pronë e asnjë individi.
“Vota të jep mandat. Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin. Pushteti në demokraci nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi, është i kufizuar dhe është i përkohshëm. Mbi të qëndron Kushtetuta”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, çdo ditë e humbur në këtë ngërç institucional është një ditë e humbur për qytetarët e Kosovës, ndërsa përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas procedurave, interpretimeve apo kalkulimeve partiake.


