Albert Sylaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Arlinda Zekajt më 25.10.2026 dhe Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i saj, i arrestuar pas denoncimit nga Arlinda Zekaj në ditën kur ndodhi vrasja, janë vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
KALLXO.com mëson se të dy vëllezërit janë vendosur në pavijone të ndryshme në këtë burg.
Arlinda Zekaj u vra me sëpatë natën e 25.10.2026 në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.
Ish-kunati i saj, Albert Sylaj, dyshohet se e vrau atë.
Sylaj u arrestua nga Policia e Kosovës dy ditë pas krimit makabër. Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia dhe u arrestua në Deçan mbrëmjen e 27 tetorit.
Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Edhe Jeton Sylajt, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, iu caktua një muaj paraburgim nën dyshimin për mospërfillje të gjykatës, ndërsa ka aktakuzë edhe për kanosjen e ish-gruas së tij, tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj.
U raportua se në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Albert Sylaj nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta ish-kunatën e tij, pasi kjo e fundit e kishte raportuar vëllanë e tij (ish-burrin e saj) për dhunë në familje.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pasi e ndjera ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij (Jeton Sylajt) nga Policia, në momentin kur viktima kishte hyrë në dhomën e saj të fjetjes i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima.
Sipas Prokurorisë, viktima ishte munduar të fshihej pas derës dhe i pandehuri fillon ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, e për pasojë ajo mbetet e vdekur në vend të ngjarjes.
Vrasja, sipas dosjes, kishte ndodhur në prani të djalit të mitur të viktimës, të fëmijëve të mitur të dorasit dhe nënës së dorasit.




