Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë ta “asfiksojnë” regjimin iranian përmes sanksioneve, duke u bërë thirrje vendeve aleate dhe kundërshtare që të ndërpresin tregtinë me Teheranin.
Në një intervistë për Fox News, Bessent u pyet lidhur me raportimet se Rusia po e mbështet Iranin. Ai tha se mesazhi i SHBA-së për “të gjithë” është që të qëndrojnë larg Iranit.
“Mënyra më e shpejtë që konflikti të përfundojë është që askush të mos i ofrojë mbështetje këtij regjimi”, tha Bessent.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka deklaruar për CNBC se të hënën përmes Ngushticës së Hormuzit janë transportuar më shumë se 17 milionë fuçi naftë në ditë, shifra më e lartë që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit.
