Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Heshtja”, që u zhvillua kundër një grupi të dyshuar për trafikim të kokainës në rajonin e Prishtinës.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar për Telegrafin edhe avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka bërë të ditur se kanë paraqitur ankesë kundër vendimit për ndalim.
“Po, është arrestuar. Kemi bërë ankesë kundër vendimit për ndalim”, ka deklaruar Bokshi.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se policia ka kryer bastisje edhe në banesën e Haraqisë.
Avokati ka thënë se ende nuk i di saktësisht dyshimet për të cilat po trajtohet klienti i tij por theksoi se mund të ketë lidhje me operacionin e djeshëm “Heshtja”, ndërsa ka theksuar se Haraqija nuk ka të bëjë me aktivitetin për të cilin po zhvillohen hetimet.



