Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se pas opinionit të dhënë nga Qeveria për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shqyrtimi i tij mund të vazhdojë në Kuvend.
Megjithatë, Cakolli vlerëson se koha e mbetur deri më 6 tetor, kur skadon afati për çështjen e Presidentit, e vështirëson ndjeshëm përfundimin e procedurës.
Sipas tij, materialet e plota të projektligjit u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, ndërsa Rregullorja e Kuvendit përcakton një sërë afatesh që duhet të respektohen.
Cakolli thekson se Komisioni për Legjislacion mund ta shqyrtojë projektligjin në parim, ndërsa për procedurën e përshpejtuar ekzistojnë mekanizma të veçantë. Megjithatë, edhe në këtë rast, sipas tij, duhet të respektohen afatet minimale procedurale.
“Duhet të kalojnë së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë dhe pastaj së paku 72 orë nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë. Pra, gjithsej së paku pesë ditë”, ka shkruar Cakolli.

