Opinionisti Bekim Çollaku, ka kritikuar qasjen e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve në rastin që po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në emisionin “Rubikon” i cili po transmetohet nga Haga, Çollaku ka thënë se, sipas tij, gjatë procesit gjyqësor është vërejtur një qasje e njëanshme dhe armiqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Qasja e Prokurorisë Speciale në relacion me të akuzuarit, por edhe me krejt qytetarët e Kosovës, duke u nisur nga këto premisa që kjo gjykatë është monoetnike dhe se Prokuroria Speciale i përndjek vetëm shqiptarët e Kosovës, duke filluar nga rangu më i ulët, nga ushtari i UÇK-së, deri te nivelet më të larta të Shtabit të Përgjithshëm, atëherë ne kemi parë një anim të skajshëm nga ana e prokurorisë dhe një sjellje tërësisht armiqësore”, ka deklaruar Çollaku
Ai ka kritikuar edhe vendimet e trupit gjykues lidhur me kërkesat e mbrojtjes, duke thënë se ato, sipas tij, janë refuzuar në mënyrë kategorike.
“Nga gjithë ky proces, asnjë kërkesë, çfarëdo qoftë ajo, ta lëmë anash lirimin eventual apo mbrojtjen në liri, është refuzuar në mënyrë kategorike nga paneli i trupit gjykues”, ka thënë ai.




