Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të mitur të dyshuar për incidentin e së shtunës mbrëma në Skenderaj, ku një veturë goditi veturën zyrtare të Policisë, duke shkaktuar lëndimin e dy zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti kishte ndodhur më 24 tetor, rreth orës 21:45, kur një njësi policore gjatë patrullimit kishte vërejtur një veturë me targa vendore duke u drejtuar në mënyrë të rrezikshme.
Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, drejtuesi i veturës kishte goditur veturën zyrtare, duke e nxjerrë nga rruga. Vetura policore më pas ishte përplasur me një shtyllë elektrike, ndërsa dy zyrtarët që ndodheshin brenda kishin pësuar lëndime dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor.
Vetura e dyshuar ishte gjetur e aksidentuar dhe e braktisur në fshatin Rezallë të Skenderajt.




