Gazeta zvicerane “Blick” ka publikuar detaje të reja nga e kaluara kriminale e Rrahman Hotit, 60-vjeçarit që dyshohet se vrau Sylë Dakën dy ditë më parë, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas raportimit të mediumit zviceran, Hoti kishte qenë i dënuar edhe më parë për vrasje, pasi në vitin 2011 kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij në Zvicër. Për këtë vepër, ai ishte dënuar me 19 vjet burgim.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në kantonin e St. Gallenit, në fund të vitit 2011. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë Federale, Hoti e kishte pritur gruan e tij, nga e cila ishte ndarë, pranë vendit të saj të punës.
Teksa ajo po ecte në trotuar, ai e kishte goditur qëllimisht me veturë, duke lëvizur me shpejtësi deri në 90 kilometra në orë.




