Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka diskutuar me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për rikthimin e tyre eventual në politikë pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë.
Në Debat Plus, Hamza tha se gjatë vizitave të tij te Thaçi dhe Veseli nuk kanë biseduar për angazhimin e tyre të ardhshëm politik, duke theksuar se ky vendim u takon vetë atyre.
“Në takimet e mija, vizitat e mija të zoti Thaçi, te zoti Veseli nuk kemi biseduar, nuk kanë shfaq qëndrime a do të jenë pjesë e politikes, pasi do të përfundohet ky proces. Është në autoritetin e tyre. Nuk e di a do të vazhdojnë të merren më me politikë, tha Hamza.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në këtë proces po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Speciale pritet të shpallet deri në mesin e shtatorit.
