Në Bundestagun gjerman, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, zhvilloi takim me dr. Anton Hofreiterin, kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe deputetin e Aleancës 90/Të Gjelbrit, zëvendëskryetarin e komisionit dhe deputetin e SPD-së, z. Johannes Schraps dhe z. Peter Beyer, anëtarin e komisionit dhe deputetin e CDU/CSU-së. Z. Zulfaj u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti.
Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar mirënjohjen e popullit të Kosovës për solidaritetin dhe përkrahjen gjermane në momentet vendimtare të historisë sonë – nga çlirimi dhe rindërtimi pas luftës, te rruga drejt pavarësisë, shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Në fokus të takimit ishte avancimi i Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Z. Zulfaj theksoi se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e vendit kandidat. Ai kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës këtë vjeshtë.




