Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi, rezulton të jetë shkelësja më e madhe e kodit të sjelljes gjatë fushatës zgjedhore në Republikën e Kosovës. Kjo vërtetohet në atë ku Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) shqiptoi gjoba e ndaj subjekteve politike që gjatë fushatës në zgjedhjet lokale shkelën kodet e sjelljes.
Bazuar në regjistrin e PZAP-së, nga 118 mijë e 700 euro, Listës Serbe, i është shqiptuar gjoba 60 mijë e 600 euro.
Gjobën më të lartë, prej 30 mijë eurosh, e mori Lista Serbe për shkak të fjalimit të kryetarit të saj, Zlatan Elek, gjatë tubimit parazgjedhor në Graçanicë.
Paneli vendosi të ndëshkojë këtë parti sepse Elek në fjalimin e tij e quajti Graçanicën “zemër serbe që rreh për të gjithë në Kosovë e Metohi”.
“Graçanica është fe, Graçanica është komb, Graçanica është zemra serbe që rreh për të gjithë ne në Kosovë e Metohi… Vetëm të bashkuar dhe unikë mund t’i ruajmë shenjtëritë tona, manastirin e Graçanicës, kishat tona, cirilikën tonë, kombin tonë, fëmijët tanë, të ardhmen tonë. Prandaj më 12 tetor votojmë serbisht, votojmë për Listën Serbe, votojmë për numrin 170, votojmë për Novak Zhiviqin për kryetar të Graçanicës”, tha Elek më 9 tetor gjatë tubimit elektoral.
Trupi gjykues, i kryesuar nga Bujar Muzaki, e kualifikoi këtë mesazh si poshtërues dhe të mbushur me urrejtje, duke vlerësuar se përdorimi i tij cenon procesin demokratik zgjedhor.
