Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike gjatë pesë vjetëve e dhjetë muajve të fundit, duke kërkuar nga Qeveria të japë llogari për gjendjen në sektorin e energjetikës.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Ramadani ka kritikuar varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike, duke vlerësuar se me shumën e shpenzuar për blerjen e rrymës do të mund të ndërtohej një termocentral i ri.
“Për pesë vjet e 10 muaj, rryma është blerë edhe shumë, edhe shtrenjtë. 1 miliard e 55 milionë është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. Me 1 miliard pothuajse ishte ndërtuar një termocentral. Dhe pyetja është pse nuk është ndërtuar?”, ka thënë Ramadani.
Ai ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë për mbylljen e projektit të termocentralit të ri, si dhe ndërprerjen e kontratës me kompaninë “ContourGlobal”, duke pretenduar se këto vendime e kanë rritur varësinë e Kosovës nga importi.
“Kjo qeveri prej vendimeve të para e ka mbyllur projektin e termocentralit të ri. E ka mbytur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme për vete. E ka hapur derën për të blerë rrymë. Edhe ndërprerja e kontratës me ‘ContourGlobalin’. Shifrat janë të tmerrshme, e papërgjegjësia është e pafalshme”.



