Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar rikthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për kauzën e luftës për liri.
Tahiri ka thënë se Aleanca e konsideron të papranueshëm këtë veprim, ndërsa ka shprehur habinë për qëndrimin e Qeverisë, e cila, sipas tij, nuk kishte dhënë komente për dy javë, ndonëse ligji kishte qenë në Qeveri.
“Rikthimin e ligjit në Kuvend, si Aleancë, e kemi parë si një veprim jashtëzakonisht të dëmshëm dhe jo serioz, i cili në esencë për ne e ka dëmtuar kauzën. Për më shumë, jemi të habitur se si Qeveria po lëshon lot krokodili, gjoja se u gjet një gabim, derisa dy javë e ka pasur në Qeveri dhe s’ka dhënë asnjë koment”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se Aleanca nuk do ta lejojë, siç është shprehur, dëmtimin e kauzës së luftës për liri, duke nënvizuar se në Hagë mbrohet e vërteta dhe jo partitë politike.




