Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK-ut paralajmëruan se do të ndërmarrin hapa dhe masa konkrete për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë.
Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK-ut shprehën pikëllimin e thellë për humbjen e jetëve të punëtorëve dhe u përcollën ngushëllimet më të sinqerta familjeve, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tyre.
“Në takimin e jashtëzakonshëm të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të KEK Sh.A., i cili sapo ka përfunduar, Bordi është informuar nga Menaxhmenti për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes. Në vendngjarje janë duke u zhvilluar hetimet përkatëse nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës, ndërsa të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij rasti do të ndriçohen plotësisht përmes procesit hetimor.
Në kuadër të masave konkrete, Bordi ka kërkuar që të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë. Në këtë drejtim, KEK Sh.A. do të formojë një Task Force për Sigurinë Industriale dhe Shëndeti në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Task Forca do të ketë për detyrë të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre”, në njoftimin e KEK-ut.

