Banorët e Himarës kanë përjetuar një natë të vështirë dhe plot ankth, teksa flakët janë përhapur me shpejtësi pranë banesave dhe strukturave akomoduese.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit, duke shtuar panikun mes banorëve dhe turistëve. Disa familje janë detyruar të largohen nga banesat, ndërsa turistët janë evakuuar drejt zonave më të sigurta.
Një prej banoreve, Gentara Ramaj, tregon për “Euronews Albania” momentet e frikshme kur flakët iu afruan shtëpisë së saj.
“Situata për momentin, me çezmat në dorë, po i stabilizojmë. Por, sapo fikin çezmat, pemët marrin flakë direkt. Sa fryn pak erë, marrin flakë menjëherë. Na erdhi nga lart, na erdhi këtu. Mezi kemi ikur me makinë. Na ka ardhur direkt flaka, brenda sekondash. Mezi kemi shpëtuar, mezi kemi shpëtuar”, thotë Ramaj.
Sipas saj, flakët kanë përfshirë ullinjtë pranë banesës, ndërsa familja është detyruar të largohet me shpejtësi.
“U dogjën komplet ullinjtë, sepse arritëm dhe lamë… Llastiqet i lamë hapur, u vaditën të gjitha. Për 10 minuta i kemi vaditur të gjitha, edhe ikëm për të marrë makinat dhe u zhdukëm të gjithë nga shtëpia”, shprehet më tej banorja.
Ramaj tregon se zjarri ka ardhur nga pjesa e sipërme dhe se përhapja ka qenë tepër e shpejtë.
Ajo thotë se nuk ka mundur të shohë nga afër situatën me zjarrfikësit, pasi është larguar për të shpëtuar nga flakët, ndërsa thekson vështirësinë e përballimit të situatës.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur, se unë në ato momente ika, u zhduka. Por asnjë zjarrfikëse… Janë ulur edhe ata atje, janë lodhur. Nuk kanë faj as ata, se nuk mund ta përballojnë dot, sepse zjarri erdhi brenda sekondash. Erdhi, domethënë, për tre sekonda ishte zjarri këtu”.
Banorja tregon gjithashtu se dëmet janë të konsiderueshme dhe se në zonën e sipërme janë raportuar edhe banesa të përfshira nga flakët.
“Janë djegur komplet, komplet ullinjtë lart. Më lajmëruan edhe kushërinjtë e mi lart, që po digjen shtëpitë. Lart janë djegur dy-tre shtëpi. Inshallah shpëtojnë, se janë fëmijët dhe akoma janë me çezmat në dorë, duke luftuar të shkretët lart”.
Sipas Ramajt, zjarri është konstatuar rreth orës 19:30-20:00 (e premte), ndërsa largimi nga banesa ka ndodhur vetëm pak minuta më pas.
“Mua më lajmëruan, se isha poshtë, afërsisht në orën 19:30–20:00. Na lajmëruan dhe kam ardhur me sekonda që të hapnim çezmat. Por, me sekonda u zhdukëm. Për 10 minuta kemi ikur nga shtëpia. Kemi braktisur shtëpinë dhe kemi ikur”.
Ajo thotë se ka parë edhe turistë që largoheshin nga zona me valixhe.



