Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, po përfaqëson Kosovën, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ai ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për Kosovën, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Konjufca e ka cilësuar raportin si selektiv, duke pretenduar se një pjesë e tij mbështetet në propagandën serbe dhe dezinformata, ndërsa nuk i pasqyron plotësisht përparimet e Kosovës në sundimin e ligjit, stabilitetin institucional dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Është dëshpëruese që shumë nga këto raste të trajtuara dhe të diskutuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe”, ka deklaruar Konjufca.
Gjatë adresimit të tij para Këshillit të Sigurimit, ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si raporti i referohet sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se ai nuk duhet të cilësohet thjesht si një ngjarje e dhunshme.
“Është po ashtu fatkeqësi të shohim që prapë edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i orkestruar, i organizuar, i mbështetur nga Beogradi zyrtar përmes Milan Radoiçiq-it, referohet e përmendet në këtë raport si një ‘ngjarje e dhunshme’ në vend se të përmendet ashtu siç është: sulm terrorist”, ka thënë ai.
Konjufca ka kundërshtuar gjithashtu, siç është shprehur, keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe keqinterpretimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në raportin e UNMIK-ut.
Duke folur për zhvillimet në vend, ai ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në disa fusha dhe vazhdon të jetë, sipas tij, një nga demokracitë më stabile në Evropën Juglindore.




